Të nderuara zonja dhe zotërinj
Kam kënaqësinë të ju njoftoj që pas një periudhe të gjatë kohore që nga nënshkrimi i marrëveshjes për inicimin e ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë në basketboll "Liga Unike", garat do të fillojnë me datën 6 Prill 2021.
Gara do të zhvillohet në format të "Final 8" me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec me datë 6 dhe 7 Prill 2021, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës Unike do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.
Çiftet e ndeshjeve të para do të dihen sot pas hedhjes së shortit. Për shkak të gjendjes me Covid19, hedhja e shortit do të bëhet në ambientet e Ligës Unike.
Për mua, stafin e Ligës Unike dhe stafin e Federatave Nacionale është nder dhe privilegj i veçantë jetësimi i ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Uroj që kjo garë të ketë fillim të mbarë dhe të përçojë mesazh unifikues në të gjithë spektrin sportdashës në Shqipëri dhe Kosovë.
I juaji,
Ilir Trebicka
Kryetar i Ligës Unike.