Federata e Basketbollit të Kosovës shpall konkurs për organizimin e Final 4 Liga Unike Femrat
Në bazë të nenit 24 të Statutit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Bordi i FBK-së shpall: KONKURS për organizimin e turneut Final Four – Liga Unike Femrat për edicionin 2025/26. Final Four – Liga Unike Femrat për edicionin 2025/26 do të zhvillohet më 17 dhe 18 mars 2026, në qytetin e organizatorit të përzgjedhur.
- KUSHTET E PËRGJITHSHME
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat juridikë që përmbushin kushtet e përcaktuara në këtë konkurs.
Organizatori i përzgjedhur do të nënshkruajë kontratë me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), në të cilën do të përcaktohen në mënyrë të detajuar të drejtat dhe obligimet e të dyja palëve lidhur me organizimin e eventit.
- KUSHTET DHE PËRGJEGJËSITË E ORGANIZATORIT
Kandidatët duhet të garantojnë përmbushjen e kritereve të mëposhtme:
- a) Të sigurojnë kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve sipas Rregullave Zyrtare të Basketbollit të FIBA-s, Propozicioneve të Garave të FBK-së dhe akteve të tjera normative në fuqi;
- b) Të sigurojnë një palestër që përmbush standardet e kërkuara për zhvillimin e ndeshjeve të Final Four;
- c) Të mbulojnë shpenzimet për akomodimin (hotel) e të gjitha ekipeve pjesëmarrëse dhe zyrtarëve të ndeshjeve gjatë zhvillimit të turneut;
- d) Të sigurojnë DJ, sistem profesional të zërimit, fotograf zyrtar dhe spiker të ndeshjeve;
- e) Të sigurojnë pajisjet dhe logjistikën e nevojshme për ceremoninë përmbyllëse të eventit;
- f) Të sigurojnë prezencë të mjaftueshme të forcave policore dhe sigurimit privat për garantimin e sigurisë së lojtarëve, stafit, zyrtarëve dhe spektatorëve;
- g) Të organizojnë promovimin dhe reklamimin e eventit në nivel lokal përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
- DETYRIMET E FBK-së
Federata e Basketbollit e Kosovës do të mbulojë dhe organizojë:
- Transmetimin televiziv të ndeshjeve;
- Vendosjen e reklamave LED në palestër;
- Pagesën e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjeve;
- Kampanjën qendrore të promovimit dhe marketingut të eventit;
- Organizimin e ceremonisë përmbyllëse;
- Stafin organizativ të FBK-së gjatë eventit;
- Kupat dhe medaljet për ekipet finaliste;
- Shpërblimet financiare për ekipet nga Kosova, sipas rregulloreve në fuqi.
- AKTIVITETE SHTESË
Gjatë zhvillimit të turneut Final Four – Liga Unike Femrat, do të organizohet edhe Klinika e Gjyqtarëve për Femra, e organizuar nga FBK në bashkëpunim me FIBA Europe. Përgjegjësia financiare për organizimin e kësaj klinike do të mbulohet nga FBK.
- PËRFITIMET DHE TË DREJTAT E ORGANIZATORIT
Organizatori i përzgjedhur do të ketë të drejtën e:
- Shitjes së biletave për eventin;
- Përdorimit të hapësirave për sponsorë dhe reklama brenda palestrës;
- Organizimit të aktiviteteve shtesë në kuadër të eventit, me miratimin paraprak të FBK-së.
- PROCEDURA E APLIKIMIT DHE AFATI I FUNDIT
Konkursi mbetet i hapur për 3 (tri) ditë nga dita e shpalljes.
Aplikimet për organizimin e Final Four – Liga Unike Femrat duhet të dorëzohen në adresën elektronike: office@basketbolli.com
Aplikimi duhet të përmbajë:
- Të dhënat e organizatorit dhe përvojën në organizimin e ngjarjeve sportive;
- Planin organizativ dhe teknik, duke përfshirë vendin e propozuar për zhvillimin e eventit;
- Planin financiar dhe burimet e financimit për organizimin e eventit.
- PROCEDURA E PËRZGJEDHJES
Bordi i FBK-së do të vlerësojë aplikimet duke marrë parasysh këto kritere:
- Përvojën e organizatorit në organizimin e eventeve të ngjashme;
- Kapacitetet infrastrukturore dhe teknike;
- Planin financiar dhe garancinë për mbulimin e shpenzimeve.
FBK rezervon të drejtën që, para marrjes së vendimit përfundimtar, të kërkojë informata shtesë ose të realizojë inspektim të objektit të propozuar për zhvillimin e eventit.
- INFORMACIONE SHTESË
Për pyetje dhe sqarime shtesë lidhur me këtë konkurs, palët e interesuara mund të kontaktojnë në adresën elektronike: office@basketbolli.com
Federata e Basketbollit e Kosovës rezervon të drejtën për të refuzuar çdo aplikim që nuk i përmbush kushtet e përcaktuara në këtë konkurs, si dhe të anulojë ose rishpallë konkursin në rast se aplikimet nuk i përmbushin kriteret e kërkuara.